A ËSHTË VËRTET “E FTOHTË” GJUHA DHE KULTURA GJERMANE?

E kam dëgjuar shpesh shprehjen “Gjermanët janë të ftohtë, nuk janë miqësorë” ose “Gjuha
gjermane është e vështirë apo e vrazhdë”.


A janë të vërteta këto shprehje? Nuk e dimë. Megjithatë mund të bëjmë një analizë.


Nga vjen miti i “ftohtësisë”?


Fakti që gjermanishtja ka tinguj të fortë si “ch”, “sch”, “r”, dhe struktura shumë të sakta,
shpesh i jep ndjesinë e një gjuhe strikte. Për shumë shqiptarë që vijnë nga një gjuhë më e lirshme
si shqipja, kjo ndjesi është e kuptueshme.
Edhe mënyra e komunikimit e gjermanëve shpesh duket “formale”, veçanërisht në krahasim me
kulturat më ekspresive.
Ndoshta edhe për shkak të shumëllojshmërisë së fjalëve dhe kompleksitetit të tyre është krijuar
kjo bindje tek ne.
Gjuha gjermane ka fjalë që shprehin ndjenja shumë të thella, të cilat nuk përkthehen lehtësisht në
gjuhë të tjera.
Disa shembuj:


Fernweh – Malli për vende të largëta


Geborgenheit – Ndjesia e sigurisë dhe mbrojtjes


Fremdschämen – Turpi që ndien për dikë tjetër, edhe pse ti vetë s’ke bërë asgjë


Këto janë fjalë që s’janë “të ftohta”. Janë të thella, të ndjeshme dhe shumë njerëzore.
Po kultura? Po njerëzit?
Gjermanët ndoshta nuk do të të përqafojnë shumë në takimin e parë apo nuk do të flasin me zë të
lartë në rrugë, por janë të respektueshëm, të drejtë dhe të qëndrueshëm. (Bazohemi nga disa
komente të bëra publike nga turistët e huaj në Gjermani).
Secila përvojë është ndryshe nga tjetra, ka gjermanë shumë miqësorë e ka të tjerë që refuzojnë të
shoqërohen me të panjohur. Kjo nuk është diçka absolute apo e matshme. Megjithatë, gjermanët
njihen si njerëz striktë, të drejtpërdrejtë dhe real.
Njëherë një student i kursit tonë, teksa flisnim për kulturën gjermane ndau një përvojë të tij dhe
tha:
Më pëlqen që kur gjermani të thotë ‘jam këtu në 10:00’, është aty në 10:00. Pa nevojë për
mesazhe, pa justifikime.


Nuk është ftohtësi. Është korrektësi.

Kultura gjermane të mëson se ndjenja e sigurisë dhe qëndrueshmërisë nuk është ftohtësi, është
stabilitet.
Nëse të dëgjojnë me vëmendje, nëse të trajtojnë me respekt, nëse mbajnë fjalën, kjo nuk është
ftohtësi.
Në fund të ditës, çdo gjuhë e huaj duket “e ftohtë” kur nuk e njohim.
Por sa më shumë e mësojmë, aq më shumë kuptojmë që ftohtësia ishte vetëm në distancën tonë
me të.

Read More

SA KOHË DUHET PËR TË MËSUAR NJË GJUHË TË HUAJ?

Një nga pyetjet që dëgjojmë më shpesh në shkollën tonë është: “Sa kohë duhet për ta mësuar këtë
gjuhë?”
Dhe përgjigjja më e sinqertë është: Varet.
Nuk është përgjigja që ndoshta do të doje të dëgjoje, por është e vërteta. Të gjithë mësojmë
ndryshe. Disa kanë më shumë kohë, të tjerë kanë më shumë motivim. Por për fat të mirë, ka disa
gjëra që mund të të ndihmojnë të kuptosh më saktë se çfarë e përshpejton dhe çfarë e ngadalëson
rrugëtimin tënd gjuhësor.
Nga çka varet shpejtësia e mësimit të një gjuhe? Janë disa faktorë:

  1. Gjuha që po mëson
    Nëse po mëson gjermanisht ose anglisht, ka shumë gjasa ta mësosh më shpejt sesa japonishten.
    Disa gjuhë janë më të afërta me shqipen dhe janë më të lehta për t’u kuptuar.
  2. Sa kohë i kushton?
    Sa më shpesh që përsërit, aq më mire do të mësosh gjuhën. Edhe 15 minuta në ditë, nëse bëhen
    rregullisht, mund të kenë efekt shumë më tepër se sa 2 orë një herë në muaj.
  3. Si e mëson?
    Mësimi vetëm nga librat është i ngadalshëm. Mësimi përmes komunikimit, ushtrimeve reale,
    lojërave gjuhësore, dhe bisedave është shumë më efektiv. Sidomos nëse je pjesë e një kursi ku
    flitet, jo vetëm shkruhet.
  4. Përditshmëria jote
    E ke dikë me të cilin mund të flasësh atë gjuhë? Përdor aplikacione? Sheh video, dëgjon muzikë?
    Sa më shumë që e përdor gjuhën në përditshmëri, aq më shpejt bëhet pjesë e jotja.
  5. Qëllimi yt
    Nëse po mëson për të kaluar një provim, ndoshta do të fokusohesh më shumë. Nëse po mëson
    për një udhëtim, do të mësosh më shumë me shprehje të përditshme. Të dyja janë të vlefshme,
    por ndryshojnë mënyrën e të mësuarit.
    A ka një kohë mesatare? Sa orë duhen realisht?
    Sipas niveleve evropiane (CEFR), këto janë orët mesatare për çdo nivel:
     A1 – A2 (fillestar): 100–200 orë
     B1 – B2 (mesatar): 350–400 orë
     C1 – C2 (i avancuar): 600+ orë

A mund të flas brenda disa muajve?
Po, nëse angazhohesh seriozisht, në 3 muaj mund të flasësh për veten, familjen dhe situata të
thjeshta.
Brenda 6 muajve, me një kurs të strukturuar, mund të jesh në gjendje të flasësh në përditshmëri,
të bësh pyetje dhe të përgjigjesh.
Brenda 1 viti, shumë studentë tanë në “Ré nao”, ndihen mjaftueshëm të sigurt për të udhëtuar
apo për të kaluar një provim.
Çfarë e ngadalëson procesin?
Mendimet si: “Kam kohë, do mësoj kur të kem mundësi…”
Mungesa e praktikës së të folurit
Frika për të gabuar
Mësimi vetëm teorik, pa ushtrime dhe aktivitete gjuhësore
Çfarë e përshpejton procesin?
Konsistenca. Edhe 20 minuta në ditë janë shumë më të vlefshme se një orë një herë në javë.
Bisedat reale.
Përdorimi i teknologjisë: aplikacione, video, podcaste, filma.
Angazhimi në një kurs të rregullt me strukturë dhe feedback nga mësuesi.
Nuk është pyetja “Sa kohë duhet?”, por “Sa kohë jam gati t’i kushtoj për gjuhën çdo
ditë?”
Sepse sado e gjatë të jetë rruga, ajo fillon me një hap. Fillo SOT!

Read More

SI E MËSOI ARBENI GJERMANISHTEN DHE GJETI PUNË NË GJERMANI – NJË HISTORI SUKSESI

Kur Arbeni filloi të mësonte gjuhën gjermane, ai nuk e kishte aspak të lehtë. Ishte 27 vjeç, punonte me orar të zgjatur dhe kishte zero njohuri për këtë gjuhë. Por kishte një qëllim të qartë: të shkonte në Gjermani dhe të ndërtonte një jetë më të mirë për veten.

“I mbaj mend ditët e para kur nuk e kuptoja çfarë thoshte mësuesja në klasë. Edhe ‘Wie geht’s?’ më dukej si matematikë,” na tha Arbeni.

Ai u regjistrua në kursin e gjermanishtes në “Ré nao”, ku filloi nga niveli A1. Fillimisht i duhej të bënte përpjekje të mëdha – të mësonte fjalë të reja çdo ditë, të dëgjonte audio, të bënte ushtrime gramatikore edhe kur ishte i lodhur pas pune.

 Metodat që funksionuan për të

Meqë “Ré nao” kujdeset të praktikojë metodat e veçanta për secilin student, ja çka funksionoi për Arbenin.

Çelësi për suksesin e tij ishte konsistenca dhe mbështetja që mori në klasë. Mësimdhënësit i dhanë jo vetëm njohuri gjuhësore, por edhe vetëbesim.

“Në kurs nuk më mësuan vetëm rregullat e gramatikës – më mësuan si të mendoj në gjermanisht. Më shtynë të flisja pa frikë, edhe kur bëja gabime.”

Ai përdorte aplikacione, dëgjonte podcaste për fillestarë dhe çdo mbrëmje, shikonte video të thjeshta në YouTube.

Përveç të tjerash, aktivitetet që bënin në klasë e ndihmuan atë të ndihej i lirë të komunikonte.

Pas disa muajsh të studimeve intensive, Arbeni arriti nivelin B1 dhe mori certifikatën e gjuhës. Ajo që pasoi ishte oferta për një vend pune një kompani në Hamburg.

“Kishin nevojë për dikë që e kuptonte sistemin, por edhe e fliste gjuhën në mënyrë të kuptueshme. Kur bisedova në gjermanisht gjatë intervistës, ndjeva që gjithë puna e lodhshme dhe e vështirë ia kishte vlejtur.”

Sot, Arbeni jeton në Gjermani dhe punon me orar të plotë. Ai thotë se mësimi i gjuhës ishte “bileta” drejt një jete të re.

“Mos prit të jesh perfekt për të filluar. Fillo me një fjalë, vazhdo me një fjali, dhe papritur je duke jetuar ëndrrën tënde në një vend tjetër” – është këshilla e Arbenit për ju.

Historia e Arbenit është një dëshmi që mësimi i gjuhës nuk është vetëm një kurs – është një hap drejt ndryshimit të jetës. Nëse edhe ti ke një ëndërr për të studiuar, jetuar apo punuar jashtë vendit, tani është koha të nisësh. Fillo menjëherë. Fillo SOT.

Read More

ÇKA MUND TË PUNOSH NËSE FLET NJË GJUHË TË HUAJ?

Me siguri, kur dëgjon këtë pyetje, profesioni i parë që të bie në mend është përkthyesi. Po, përkthyesi është një ndër profesionet që mund të ushtrosh nëse di një gjuhë të huaj – por jo i vetmi.

Bota po ecën me hapa shumë të shpejtë. E nëse nuk ecim bashkë me të, jeta jonë profesionale mund të përballet me sfida. Sot është shumë e rëndësishme të zgjedhim një profesion që nuk mund të zëvendësohet lehtë nga Inteligjenca Artificiale – një profesion jo monoton, që ofron të ardhura të mira.

Nëse je duke mësuar një gjuhë të huaj, ja disa mundësi pune që mund të konsiderosh:

1. Përkthyes ose Interpretues

Në institucione, media, kompani ndërkombëtare apo organizata joqeveritare – gjithmonë ka nevojë për njerëz që mund të përkthejnë apo të përçojnë mesazhe në mënyrë profesionale.

2. Mësimdhënës

Nëse e zotëron mirë gjuhën, mund të bëhesh mësimdhënës – në shkolla, kurse private apo platforma online për studentë nga e gjithë bota. Edhe pse njerëzit sot mund të mësojnë përmes videove dhe aplikacioneve, nevoja për një udhëheqës mbetet thelbësore.

3. Punonjës në diplomaci ose organizata ndërkombëtare

Ambasadat dhe institucionet ndërkombëtare kërkojnë staf shumëgjuhësh për komunikim ndërkombëtar.

4. Menaxhim i marrëdhënieve ndërkombëtare / shitje & marketing global

Shumë kompani që eksportojnë produkte apo ofrojnë shërbime jashtë vendit kanë nevojë për staf që mund të komunikojë me klientë ose partnerë ndërkombëtarë.

5. Industria e turizmit dhe mikpritjes

Guida turistike, punonjësit e hoteleve dhe agjencitë e udhëtimeve – njohja e gjuhëve të huaja është një avantazh i madh në këtë sektor.

6. Call center

Puna në kompani me shërbime për klientin është shumë e përhapur, sidomos në Kosovë. Kjo punë shpesh ofron kushte dhe paga të kënaqshme. Nëse flet një gjuhë të huaj, sidomos gjermanisht, konsideroje këtë mundësi.

7. Shkrimtar / Redaktor / Krijues përmbajtjesh për tregun ndërkombëtar

Nëse të pëlqen të shkruash, mund të krijosh përmbajtje në gjuhë të huaj për blogje, rrjete sociale, platforma edukative, etj.

8. Freelancer online

Përkthime, shkrime, mësim, asistencë për klientë – shumë punë online kërkojnë vetëm një kompjuter, internet dhe… njohuri të një gjuhe të huaj!

Këto ishin vetëm disa nga shumë profesione që mund të ushtrosh nëse posedon njohuri të gjuhëve të huaja.

Më shumë gjuhë = më shumë mundësi!
Sa më shumë gjuhë të flasësh, aq më shumë dyer i hap vetes. Në shumë raste, njohja e një gjuhe të caktuar mund të jetë bileta jote për të jetuar e punuar në një vend të ri.

Çka po pret ende?
Go get your ticket!

Read More

SI E MËSOVA GJUHËN GJERMANE PËR 6 MUAJ? – PËRVOJA PERSONALE

Nëse e dëgjon këtë fjali për herë të parë, të duket diçka e paarritshme dhe e pamundur. Ndonëse gjuha është një galaktikë së cilës nuk i shihet fundi dhe asnjëherë nuk mund të mësohet komplet, nga përvoja personale them se ia dola të mësoja 6 nivelet e gjuhës e shumëçka tjetër. Ja si…

E PLANIFIKOVA DITËN DHE ORËT PËR MËSIM

Për të mësuar një gjuhë të re brenda 6 muajve, është shumë e rëndësishme të kesh një plan të strukturuar. Unë fillova me të paktën 3 orë mësim në ditë, me 3 herë pushim nga 10 minuta .Për ju të cilët e keni të vështirë koncentrimin me orë të gjata, mund të mësoni nga 1 orë pastaj pushoni aq sa keni nevojë dhe rikthehuni në mësim përsëri.

PËRDORA DISA APLIKACIONE

Për të mbajtur veten aktiv gjatë mësimit të gjuhës, përdora aplikacione si Duolingo dhe Babbel, të cilat ofrojnë ushtrime dhe mundësi të mësohet pjesa e gramatikës dhe fjalorit çdo ditë. Këto aplikacione janë shumë ndihmuese për të krijuar një bazë të fortë gjuhësore.

SHIKOVA VIDEO DHE FILMA

Kur mësimin e shndërron në argëtim, gjithçka është më e lehtë. Mua më pëlqen shumë të shoh filma, andaj çdo film e shikoja në gjuhën gjermane. Thjesht hapeni Netflix-in, zgjedhni filmin në zhanrin që dëshironi dhe ose shikojeni me titrat në gjermanisht, ose dëgjoni dublimin.

FLISJA GJERMANISHT ME MOTRËN

Motra ime e di gjuhën gjermane andaj fillova të flas me të. Edhe pse nivelet tona të njohurive janë të ndryshme, mundohesha të gjeja një përgjigje për secilën situatë.

Nëse nuk keni ndonjë familjar me të cilin mund të praktikoni, kërkoni nga Inteligjenca Artificiale (ChatGPT) disa tema të përditshme dhe mendoni për to, më pas flisni me zë të lartë.

FILLOVA NJË KURS SUPER-INTENSIV

Kurset Super-Intensive kanë një sistem ideal për mësimin e gjuhës brenda 6 MUAJVE.

Unë përfundova një nivel brenda 1 Muaji, në të cilin mbanim 5 herë në javë, nga 3 orë mësim.

Kursi më ndihmoi shumë të mësoja rregullat gramatikore si dhe të praktikoja komunikimin me shokët e grupit apo mësimdhënësen.

PATA DURIM DHE KONSISTENCË

Mund të duket diçka e paarritshme por unë ia dola.  Edhe pse kam ende shumë për të mësuar, përmes këtyre metodave, me durim dhe punë arrita të përfundoj të gjitha nivelet dhe të zotëroj njohuri mjaft të mira të gjuhës gjermane.

Mos u dorëzoni, mësimi i një gjuhe kurrë nuk ka qenë më i lehtë, falë mundësive që kemi sot.

Read More

SI TË PËRGATITENI PËR NJË INTERVISTË PUNE NË NJË GJUHË TË HUAJ?

Së shpejti ke një intervistë pune në një gjuhë të huaj dhe je në stres se si do të shkojë?

Mos u shqetëso. Me këshillat e duhura dhe përgatitje paraprake, ti do të fitosh vendin e punës.

  • Pika e parë me të cilën duhet të fillosh është të hulumtosh për kompaninë dhe pozitën për të cilën po aplikon. Normalisht që duhet të jesh i informuar për vendin ku do të punësohesh, dhe detyrat që mund t’i kesh në pozitën e re. Nëse nuk je mjaftueshëm i informuar, kjo mund të cilësohet edhe si pikë negative për ty gjatë intervistës.  
  • Tani dalim tek pjesa kryesore. Çka nëse intervistën e kemi në një gjuhë të huaj? Fillojmë duke hulumtuar pyetjet më të zakonshme që bëhen në intervista, të tilla si: A mund të prezantoheni?; Cila është përvoja juaj e punës?; Pse zgjodhët kompaninë tonë?; Cilat janë pritshmëritë tuaja? e të tjera. Normalisht për secilën pyetje, përgatitni edhe përgjigjen dhe ushtrojeni. Të gjitha këto i bëni në gjuhën në të cilën do ta zhvilloni intervistën.
  •  Një pjesë e rëndësishme është edhe sjellja dhe veshja. Duhet të kesh kujdes si vishesh dhe duhet të dish të menaxhosh gjuhën e trupit. Këto janë detaje që çdo punëmarrës i analizon. Fokusohu të shmangësh stresin dhe të komunikosh me vetëbesim, edhe nëse bën ndonjë gabim duke folur. 
  • Gjej intervista apo video të ndryshme në internet që lidhen me gjuhën në të cilën do të flasësh. Sa më shumë të dëgjosh dhe të analizosh veten tënde, aq më mirë do të mësosh të shprehesh.

Tani, e zëmë se jemi në intervistë. Ke praktikuar paraprakisht, ke mësuar disa nga pyetjet kryesore, deri tani po shkon shumë mirë, por, intervistuesi të pyet diçka të cilën ti as nuk po e kupton. Je konfuz, fillove të stresohesh, gjuha e trupit tani të gënjen… Qetësohu. Ajo çka duhet të bësh është të kërkosh shpjegime për pyetjen. Në vend se t’i thuash “Nuk po të kuptoj”, mëso shprehjet si “A mund të më shpjegoni më detajisht se çfarë dëshironi të dini?” apo “A mund të më jepni një shembull për këtë?”. Deri sa intervistuesi të të shpjegojë, ti do të fitosh kohë për të formuluar një përgjigje të duhur. 

Praktiko këto këshilla, përgatitu paraprakisht, ushtro sa më shumë në gjuhën në të cilën do të intervistohesh, mëso shprehjet bazë dhe mbi të gjitha fol me vetëbesim. Sot për intervistuesit është më e rëndësishme të dish si të menaxhosh situata, të jesh me vetëbesim dhe të jesh kërkues nga vetja, se sa t’i dish të gjitha. 

Vendi i punës po të pret!

Read More

SI TË PËRGATITESH PËR NJË PROVIM GJUHËSOR PA STRES?

Duke u nis nga titulli, të gjithë kërkojnë një përgjigje: si të kalojmë diçka kaq stresuese, por pa stres?
Pjesa e testimit është zakonisht faza më pak e pëlqyer nga studentët, sepse jo gjithçka varet nga dija. Shpeshherë studentët janë shumë të përgatitur, por ngarkesa emocionale mbizotëron në atë moment dhe nëse para 5 minutave i dije të gjitha, tash nuk mban mend asgjë.

Nëse e dëshironi përgjigjen, ja disa këshilla nga përvoja personale:

  • Përveç pjesës së mësimit, të cilën po e marrim si të mirëqenë, mësoni me logjikë. Duke tentuar të mbani mend gjëra, ju e mbingarkoni trurin dhe nga stresi për një moment i harroni të gjitha. Mësimi me logjikë nënkupton lidhjen e gjërave për të mos i harruar kurrë.
  • Ushtroni paraprakisht në shtëpi – E tash ju mund të pyesni: Çka të ushtroj kur nuk e di testin dhe pyetjet? Zakonisht, testet gjuhësore kanë një format të njëjtë, ku lloji i pyetjeve dhe kërkesave është pothuajse i njëjtë çdo herë. Ajo që ju duhet të bëni është të hulumtoni për formatet, të gjeni ushtrime të ngjashme në internet dhe të përgatiteni për atë që ju pret në ditën e testit. Kur e dini me çfarë do të përballeni, menaxhimi i ngarkesës është më i lehtë.
  • Një tjetër ndihmë janë edhe kurset përgatitore, me profesorë që kanë njohuri dhe përvojë me testet ndërkombëtare. Përvoja e dikujt tjetër është shumë ndihmuese, sepse profesori e di saktë ku duhet të fokusoheni, cilat pika t’i keni në mendje dhe çfarë strategjish të përdorni.

Megjithatë, duke qenë se stresi është pjesë e secilit prej nesh, pra është diçka e brendshme, ne e kemi vetë në dorë menaxhimin e tij.
Ja edhe një këshillë miqësore: në ditën e testit, zgjohu me energji pozitive, beso në vete dhe sjelli mendjes tënde qetësinë më të madhe të mundshme.
Fundja, është vetëm një test – dija juaj vlen më shumë se disa pikë në letër. Suksese, ti do t’ia dalësh!

Read More

GABIMET E MIA MË TË MËDHA KUR MËSOJA GJUHËN GJERMANE

Nga perspektiva e një studenteje

Si shumë të rinj në Kosovë, edhe unë zgjodha të mësoja gjuhën gjermane për mundësi më të mira në edukim, por edhe në punë. Me shumë bindje mund të them që ja dola, mirëpo mbase do t’ja dilja më shpejt e më mirë po të mos bëja disa gabime, të cilat kam vendosur t’i ndaj me ju.

Mësimi i fjalëve pa i lidhur me situata

Në fillim, përpiqesha të mësoja fjalë të reja duke i lexuar nga listat në libra. Nuk përpiqesha t’i përdorja ato në fjali ose situata praktike. Prandaj, shumë fjalë i harroja shpejt. Nëse do të ktheja kohën pas, do t’i mësoja fjalët me kontekst. Për shembull, në vend që të mësoja fjalën “der Apfel” (molla) vetëm si një fjalë, do të përpiqesha të krijoja fjali: “Ich esse einen Apfel” (Unë ha një mollë).

Mungesa e konsistencës

Konsistenca, besoj, është ndër problemet kryesore, sidomos tek të rinjtë. Kur fillon, ke një motiv të paparë, ndërsa pak ditë më pas motivi fillon të zbehet dhe ti nuk jep më maksimumin si në fillim. Mësimi pa një rutinë të caktuar më penalizoi në shumë aspekte. Ajo çka do t’ju sugjeroja është të caktoni, për shembull, së paku një orë në ditë dhe t’i dedikoheni plotësisht mësimit të gjuhës.

Mosndjekja e aktiviteteve argëtuese

Për shumë njerëz mund të duket e panevojshme, por nuk e keni idenë se çfarë efekti ka mësimi kur e bën me qejf. Unë jam person që pëlqej të shikoj filma, por preferoj ata në gjuhën angleze. Shikimi i një filmi në gjermanisht thjesht nuk funksionoi për mua. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që duhej të hiqja dorë.
Duke hulumtuar, zbulova se nuk ishte gjuha ajo që më pengonte te filmat gjermanë, por ishte filmi si tërësi. Pra, unë parapëlqeja të shihja filma anglezë për shkak të përmbajtjes. Ajo çka bëra ishte shikimi i filmave anglezë, por me dublim në gjermanisht. Kështu shihja filmat që doja dhe njëkohësisht mësoja gjuhën që synoja.

Mosndjekja e një kursi

Personalisht kisha dëgjuar shumë njerëz që thonin se kurset janë humbje kohe e parash dhe përveç se i dëgjova, mora edhe këshillën e tyre. Por kur e pashë se progresi im ishte i ngadalshëm, vendosa të filloja një kurs. Definitivisht ishte zgjedhja më e mirë që bëra në këtë rrugëtim mësimi.
Kursi nuk është vetëm një raport profesor–student, ku profesori shpjegon e ti dëgjon. Është shumë më shumë se kaq. Ndërveprimi me kolegë, aktivitetet në klasë, metodat që përdor profesori – të gjitha këto për mua ishin shumë ndihmuese.

E rëndësishme është që kam mësuar nga gabimet dhe sot e kam më të lehtë të kuptoj diçka të re.
Nëse këto metoda kanë funksionuar për mua, nuk do të thotë që medoemos do të funksionojnë edhe për ju. Hulumtoni personalitetin tuaj dhe filloni mësimin e një gjuhe të re duke praktikuar metodat më të dobishme për ju.

Mos harroni: Të gabosh është njerëzore. E rëndësishme është të mos ndalesh.

Read More

PSE TË MËSONI NJË GJUHË TË HUAJ?

A e dini se Ziad Fazah flet rreth 60 gjuhë të huaja?

Nëse tani e kuptuat këtë fakt, pse ende dyshoni në mundësinë për të mësuar një gjuhë të re? Një, dy apo më shumë, pse jo? Fundja, “E vetmja gjë që të ndalon ty, je vetë ti.”

Mësimi i një gjuhe të huaj shkon përtej fjalëve dhe gramatikës; është përvojë, është ndjenjë apo thënë më mirë, është transformim në një person me identitet të ri. Kur flet një gjuhë të huaj, fillon të mendosh si folësit e saj, flet si ata dhe integrohesh në kulturën e tyre. Sot, më shumë se kurrë, të mësuarit e një gjuhe është bërë jo vetëm një nevojë profesionale, por edhe një mjet, posedimi i së cilës ofron ndjenjë euforie dhe krenarie. E para së gjithash, ajo që të gjithë e shpresojmë është ndjenja që të sjell suksesi. Një ndjenjë triumfi e fuqie, kur ngjet një shkallë më shumë në rrugëtimin e jetës. Por, përveç kësaj vorbulle ndjenjash, zotërimi i gjuhëve ofron mundësi të pafundme, të cilat as nuk i keni imagjinuar më parë.

Mendoni pak: mund të krijoni marrëdhënie me njerëz nga kultura të ndryshme, qofshin ato miqësi apo marrëdhënie pune, të lexoni libra, shikoni filma apo të dilni për një ecje pasdite, duke pyetur se si e kaloi ditën personi pranë teje. E të gjitha këto, në një gjuhë të re. Për t’u rikthyer te mundësitë, një gjuhë e re hap dyer në tregun global të punës, duke ju bërë automatikisht më të kërkuar dhe duke ju ngritur gjithmonë një hap para të tjerëve. Si qenie njerëzore, priremi të fillojmë diçka vetëm kur na kërkohet, mirëpo nëse vërtet e dëshirojmë suksesin, duhet të punojmë paraprakisht për të.

Pse të mos investojmë në zhvillimin tonë kur kemi mundësi? Pse të mos investojmë në të ardhmen tonë dhe të lëmë suksesin të vijë vetë? Investimi në edukim është i vetmi investim në të cilin nuk rrezikoni dhe suksesi është i sigurt, mjafton të punojmë drejt tij. Në “Ré nao”, ne nuk ofrojmë vetëm “një kurs gjuhësor”; ne krijojmë një përvojë. Të mësuarit bëhet një proces argëtues dhe i personalizuar për nevojat e secilit student. Kjo sepse ne besojmë se çdo gjuhë ka fuqinë për të ndryshuar jetën e dikujt – ndoshta edhe tuajën.

Nëse keni menduar ndonjëherë të mësoni një gjuhë të huaj, tani është koha e duhur…

Read More