Cili nivel i gjuhës të duhet për të jetuar në Gjermani?
Shumë njerëz që planifikojnë të jetojnë në Gjermani e bëjnë të njëjtën pyetje:
“Deri në çfarë niveli duhet të di gjermanisht?”
E përgjigjja është: “Varet nga ajo që dëshiron të bësh atje.” Por një gjë është e
sigurt, njohuria gjuhësore ta bën jetën shumë më të lehtë. Jo vetëm për dokumente
apo punë, por edhe për të ndjerë veten pjesë e shoqërisë dhe e vendit.
A mjafton niveli A1? Për disa raste, po. Niveli A1 është niveli bazë ku mund të
prezantohesh, të bësh pyetje të thjeshta dhe të kuptosh biseda shumë të zakonshme.
Shumë njerëz e përdorin këtë nivel për bashkim familjar ose për muajt e parë si
banorë në një vend gjermano-folës. Por realiteti është se të flasësh vetëm në nivelin
A1, jeta e përditshme mund të jetë sfiduese. Në supermarket, në autobus, te mjeku
apo gjatë procesit të dokumenteve, shpesh do të ndihesh i pasigurt. Niveli A1 është
një fillim i mirë, por nuk duhet ta lësh me kaq.
Po niveli A2? Kur fillon të flasësh në nivelin A2, fillon të ndihesh pak më i lirë.
Mund të komunikosh në situata të zakonshme, të kuptosh fjali më të shpeshta dhe
të menaxhosh gjëra të përditshme pa kërkuar shumë ndihmë. Shumë persona që
jetojnë në Gjermani në fillim janë pikërisht në këtë nivel. Megjithatë, ende mund të
jetë e vështirë të kuptosh biseda të shpejta apo situata më serioze.
Shpesh thuhet se niveli B1 është niveli ku fillon jeta reale në gjermanisht. Në këtë
nivel mund të flasësh më lirshëm, të kuptosh shumicën e situatave të përditshme, të
komunikosh në punë dhe të flasësh me më shumë vetëbesim. Për shumë profesione
dhe dokumente në Gjermani, ky nivel është niveli minimal i kërkuar. Por më e
rëndësishmja është se në këtë fazë nuk mendon më vetëm si student i gjuhës, por
fillon të jetosh me këtë gjuhë dhe ta përfshish edhe në mënyrën se si mendon.
E nëse dëshiron të studiosh në universitet ose të punosh në profesione si:
infermieri, mjekësi, administratë, edukim apo zyra profesionale, atëherë zakonisht
kërkohen nivele më të avancuara B2, C1 apo C2.
Megjithatë, nuk ke nevojë të flasësh perfekt që të jetosh në Gjermani. Gjuha
mësohet duke gabuar, duke dëgjuar dhe duke provuar çdo ditë.
Edhe vetë gjermanët e vlerësojnë shumë kur dikush përpiqet të flasë gjuhën e tyre,
edhe nëse nuk është perfekt.` Nëse synimi yt është vetëm të fillosh jetën në
Gjermani, nivelet A1 ose A2 mund të jenë hapi i parë.
Por nëse dëshiron më shumë mundësi pune, më shumë pavarësi, komunikim më të
lehtë dhe më shumë vetëbesim, atëherë niveli B1 është niveli që ia vlen ta arrish.
