Gabimet e mia më të mëdha kur mësoja gjuhën gjermane

Nga perspektiva e një studenteje

Si shumë të rinj në Kosovë, edhe unë zgjodha të mësoja gjuhën gjermane për mundësi më të mira në edukim, por edhe në punë. Me shumë bindje mund të them që ja dola, mirëpo mbase do t’ja dilja më shpejt e më mirë po të mos bëja disa gabime, të cilat kam vendosur t’i ndaj me ju.

Mësimi i fjalëve pa i lidhur me situata

Në fillim, përpiqesha të mësoja fjalë të reja duke i lexuar nga listat në libra. Nuk përpiqesha t’i përdorja ato në fjali ose situata praktike. Prandaj, shumë fjalë i harroja shpejt. Nëse do të ktheja kohën pas, do t’i mësoja fjalët me kontekst. Për shembull, në vend që të mësoja fjalën "der Apfel" (molla) vetëm si një fjalë, do të përpiqesha të krijoja fjali: "Ich esse einen Apfel" (Unë ha një mollë).

Mungesa e konsistencës

Konsistenca, besoj, është ndër problemet kryesore, sidomos tek të rinjtë. Kur fillon, ke një motiv të paparë, ndërsa pak ditë më pas motivi fillon të zbehet dhe ti nuk jep më maksimumin si në fillim. Mësimi pa një rutinë të caktuar më penalizoi në shumë aspekte. Ajo çka do t’ju sugjeroja është të caktoni, për shembull, së paku një orë në ditë dhe t’i dedikoheni plotësisht mësimit të gjuhës.

Mosndjekja e aktiviteteve argëtuese

Për shumë njerëz mund të duket e panevojshme, por nuk e keni idenë se çfarë efekti ka mësimi kur e bën me qejf. Unë jam person që pëlqej të shikoj filma, por preferoj ata në gjuhën angleze. Shikimi i një filmi në gjermanisht thjesht nuk funksionoi për mua. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që duhej të hiqja dorë.
Duke hulumtuar, zbulova se nuk ishte gjuha ajo që më pengonte te filmat gjermanë, por ishte filmi si tërësi. Pra, unë parapëlqeja të shihja filma anglezë për shkak të përmbajtjes. Ajo çka bëra ishte shikimi i filmave anglezë, por me dublim në gjermanisht. Kështu shihja filmat që doja dhe njëkohësisht mësoja gjuhën që synoja.

Mosndjekja e një kursi

Personalisht kisha dëgjuar shumë njerëz që thonin se kurset janë humbje kohe e parash dhe përveç se i dëgjova, mora edhe këshillën e tyre. Por kur e pashë se progresi im ishte i ngadalshëm, vendosa të filloja një kurs. Definitivisht ishte zgjedhja më e mirë që bëra në këtë rrugëtim mësimi.
Kursi nuk është vetëm një raport profesor–student, ku profesori shpjegon e ti dëgjon. Është shumë më shumë se kaq. Ndërveprimi me kolegë, aktivitetet në klasë, metodat që përdor profesori – të gjitha këto për mua ishin shumë ndihmuese.

E rëndësishme është që kam mësuar nga gabimet dhe sot e kam më të lehtë të kuptoj diçka të re.
Nëse këto metoda kanë funksionuar për mua, nuk do të thotë që medoemos do të funksionojnë edhe për ju. Hulumtoni personalitetin tuaj dhe filloni mësimin e një gjuhe të re duke praktikuar metodat më të dobishme për ju.

Mos harroni: Të gabosh është njerëzore. E rëndësishme është të mos ndalesh.

Fillo sot rrugëtimin tënd drejt suksesit!

Na kontaktoni për orarin, çmimet dhe nivelin e duhur për ju.

© 2026 Ré nao Course. Të gjitha të drejtat e rezervuara.