Me cilët filma dhe seriale mund të mësohet gjuha gjermane?
A ju ka ndodhur të ndiheni të lodhur nga mësimi i një gjuhe përmes librave? Gramatika,
rregullat, fjalët e reja dhe, pas disa orësh, ndihesh sikur truri nuk pranon më asgjë. Pikërisht për
këtë arsye, shumë njerëz po zgjedhin ta mësojnë gjuhën në mënyra më të natyrshme dhe më
argëtuese, si përmes filmave dhe serialeve.
E mira e filmave është se nuk të japin vetëm fjalë të reja, por të tregojnë si përdoret gjuha në
jetën reale. Fillon të dëgjosh mënyrën si flasin njerëzit dhe si përdorin shprehje që zakonisht nuk
i gjen në libra. Ndërkohë, pa e kuptuar fare, truri fillon t’i mbajë mend ato.
Shumë studentë thonë: “E kuptoj gjuhën kur lexoj, por sapo dikush flet shpejt nuk kuptoj asgjë.”
Kjo është normale, sepse gjuha që përdoret në libra dhe ajo që dëgjon në përditshmëri nuk janë të
njëjta. Prandaj filmat dhe serialet mund të ndihmojnë shumë, sepse të mësojnë me komunikimin
real të gjuhës.
Nëse je fillestar, nuk ke nevojë të zgjedhësh diçka shumë të komplikuar. Mund të fillosh me
seriale më të lehta ose me episode të shkurtra. Shumë njerëz rekomandojnë Nicos Weg, sepse
është i thjeshtë dhe i përshtatshëm. Ndërsa nëse ke pak më shumë njohuri dhe je në nivele më të
avancuara, Dark është një nga serialet më të famshme gjermane dhe të mban vazhdimisht
kureshtar.
Ja edhe disa rekomandime shumë të mira: Extra auf Deutsch, Babylon Berlin, Deutsch lernen mit
DW, Heidi, Das Wunder von Bern.
Një gabim që bëjnë shumë njerëz është se ndalen te çdo fjalë që nuk e kuptojnë. Mos e bëj këtë.
Askush nuk mund ta mësojë një gjuhë duke përkthyer çdo sekondë. Fokusohu te ideja kryesore
dhe, nëse kupton vetëm 50%, kjo prapë të ndihmon shumë. Me kalimin e kohës, do të vëresh që
po kupton gjithnjë e më shumë pa u munduar.
Një metodë shumë e mirë është ta shikosh filmin fillimisht me titra në shqip ose anglisht, pastaj
gradualisht të kalosh në titra në gjermanisht. Pas disa javësh fillon të dallosh fjalë që përsëriten
shpesh dhe i mban mend vetë, pa tentuar t’i mësosh me forcë.
Nuk ka rëndësi nëse shikon një film në javë apo vetëm disa minuta në ditë. Rëndësi ka ta
praktikosh gjuhën gjermane sa më shpesh. Sepse një gjuhë nuk mësohet vetëm duke e studiuar,
mësohet duke e dëgjuar, duke e parë dhe duke e jetuar çdo ditë.
