Pse punëdhënësit vlerësojnë njerëzit që flasin gjuhë të huaja?
Nëse deri sot ke mendu se të kesh një diplomë mjafton që të fitosh një vend pune, atëherë ka ardhë koha me ndryshu mendim. Pse? Sepse sot, punëdhënësit kërkojnë diçka më shumë, aftësi që tregojnë fleksibilitet, komunikim të mirë dhe gatishmëri për t’u përshtatur. Pikërisht këtu hyn në lojë njohja e gjuhëve të huaja.
Një person që flet një ose më shumë gjuhë të huaja shihet si dikush që di të komunikojë, jo vetëm me fjalë, por edhe me kultura të ndryshme. Punëdhënësit e dinë që gjuha nuk është thjesht mjet komunikimi. Një punonjës që ka njohuri të gjuhëve të huaja, mund të bashkëpunojë më lehtë, të kuptojë më mirë klientët dhe të shmangë keqkuptimet.
Përveç kësaj, mësimi i një gjuhe të re tregon diçka shumë të rëndësishme për karakterin e një personi: disiplinë, durim dhe vullnet për të mësuar. Askush nuk e mëson një gjuhë brenda natës. Ky proces kërkon kohë e përkushtim. E këto janë cilësi që çdo punëdhënës i vlerëson shumë.
Njohja e gjuhëve të huaja shpesh hap edhe dyer të reja profesionale. Kompanitë që bashkëpunojnë me partnerë ndërkombëtarë, që kanë klientë nga vende të ndryshme apo që synojnë zgjerimin jashtë vendit, kanë nevojë për njerëz që mund të komunikojnë lirshëm dhe me vetëbesim. Pra, në shumë raste, gjuha e huaj është ajo që e dallon një kandidat nga të tjerët.
Më e rëndësishmja, njerëzit që mësojnë gjuhë të reja tregojnë se nuk kanë frikë nga sfidat. Ata janë të hapur ndaj ndryshimit dhe zhvillimit personal. Për këtë arsye, punëdhënësit i shohin ata si investim afatgjatë.
Megjithatë, mësimi i gjuhëve të huaja nuk është vetëm për CV-në. Është për rritjen personale, për mundësi të reja dhe për një komunikim më të lehtë me njerëzit përreth.
Mëso një gjuhë e bëhu opsioni më i mirë nga kandidatët për punën tënde të ardhshme.
