Si të përgatiteni për një intervistë pune në një gjuhë të huaj?
Së shpejti ke një intervistë pune në një gjuhë të huaj dhe je në stres se si do të shkojë?
Mos u shqetëso. Me këshillat e duhura dhe përgatitje paraprake, ti do të fitosh vendin e punës.
- Pika e parë me të cilën duhet të fillosh është të hulumtosh për kompaninë dhe pozitën për të cilën po aplikon. Normalisht që duhet të jesh i informuar për vendin ku do të punësohesh, dhe detyrat që mund t’i kesh në pozitën e re. Nëse nuk je mjaftueshëm i informuar, kjo mund të cilësohet edhe si pikë negative për ty gjatë intervistës.
- Tani dalim tek pjesa kryesore. Çka nëse intervistën e kemi në një gjuhë të huaj? Fillojmë duke hulumtuar pyetjet më të zakonshme që bëhen në intervista, të tilla si: A mund të prezantoheni?; Cila është përvoja juaj e punës?; Pse zgjodhët kompaninë tonë?; Cilat janë pritshmëritë tuaja? e të tjera. Normalisht për secilën pyetje, përgatitni edhe përgjigjen dhe ushtrojeni. Të gjitha këto i bëni në gjuhën në të cilën do ta zhvilloni intervistën.
- Një pjesë e rëndësishme është edhe sjellja dhe veshja. Duhet të kesh kujdes si vishesh dhe duhet të dish të menaxhosh gjuhën e trupit. Këto janë detaje që çdo punëmarrës i analizon. Fokusohu të shmangësh stresin dhe të komunikosh me vetëbesim, edhe nëse bën ndonjë gabim duke folur.
- Gjej intervista apo video të ndryshme në internet që lidhen me gjuhën në të cilën do të flasësh. Sa më shumë të dëgjosh dhe të analizosh veten tënde, aq më mirë do të mësosh të shprehesh.
Tani, e zëmë se jemi në intervistë. Ke praktikuar paraprakisht, ke mësuar disa nga pyetjet kryesore, deri tani po shkon shumë mirë, por, intervistuesi të pyet diçka të cilën ti as nuk po e kupton. Je konfuz, fillove të stresohesh, gjuha e trupit tani të gënjen… Qetësohu. Ajo çka duhet të bësh është të kërkosh shpjegime për pyetjen. Në vend se t’i thuash “Nuk po të kuptoj”, mëso shprehjet si “A mund të më shpjegoni më detajisht se çfarë dëshironi të dini?” apo “A mund të më jepni një shembull për këtë?”. Deri sa intervistuesi të të shpjegojë, ti do të fitosh kohë për të formuluar një përgjigje të duhur.
Praktiko këto këshilla, përgatitu paraprakisht, ushtro sa më shumë në gjuhën në të cilën do të intervistohesh, mëso shprehjet bazë dhe mbi të gjitha fol me vetëbesim. Sot për intervistuesit është më e rëndësishme të dish si të menaxhosh situata, të jesh me vetëbesim dhe të jesh kërkues nga vetja, se sa t’i dish të gjitha.
Vendi i punës po të pret!
